Packaging në Marketing
Sa i rëndësishëm është paketimi në marketingun e një produkti?
Paketimi është një pjesë shumë e rëndësishme për produktin sepse duke qënë impakti i parë drejt klientit rrjedhimisht ndikon në vendimet e tyre për blerje. Kur vendosni të hidhni një produkt në treg, një nga gabimet më të shpeshta është neglizhimi që i bëhet zgjedhjes së paketimit. Ajo nuk duhet të konceptohet si një paketë e thjeshtë. Sot, të veshësh produktin tënd do të thotë të mendosh për elemente objektivë, do të thotë të kuptosh nevojat e klientit dhe të analizosh me kujdes tregun dhe audiencën e synuar. E gjithë kjo për të ndjekur qëllimin tuaj kryesor: rritjen e shitjeve. Ne mund ta përmbledhim rëndësinë që merr paketimi në proçesin e lançimit të një produkti në tre elementë kryesorë:- Siguria – materialet e përdorura duhet të kenë qëllim themelor mbrojtjen e produktit dhe ruajtjen e formës së tij funksionale në mënyrë që të mos cenohet dobia e tij.
- Prakticiteti – paketa duhet të garantojë prakticitet për konsumatorin.
- Promovimi – paketa promovon një produkt sepse komunikon karakteristikat, përdorimet, përfitimet dhe imazhin e tij.
Paketimi si diferencim i markës
Qëllimi kryesor i paketimit është të mbrojë produktin tuaj gjatë transportit, që nga momenti kur ai largohet nga objektet e prodhimit e deri në dorëzimin e tij tek përdoruesi përfundimtar. Megjithatë, çdo person që e sheh produktin e paketuar në udhëtimin e tij nga fabrika tek përdoruesi përfundimtar është një mundësi marketingu.
Ju duhet të filloni ta mendoni paketimin duke u bazuar në ceremoninë e shpaketimit, një përvojë që trasmeton emocion tek përdoruesi. Asnjë industri nuk e kupton “paketimin si një përvojë konsumatore” më shumë sesa pajisjet elektronike të konsumit. Përshëmbull kutitë e Apple janë po aq produkt sa janë iPhone, Macbook dhe orët inteligjente brenda paketimit të tyre.
Komunikimi i një mesazhi
Ndërsa paketimi juaj mund të veprojë si një billboard (stendë afishimi) portativ për markën tuaj, është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për të folur drejtpërdrejt me klientët potencial. Pjesa e përparme e paketimit quhet ndryshe edhe “përballja” e produktit me orën e së vërtetës. Këtu hyn në lojë paketimi e funksioni i tij është të shfaqë markën tuaj dhe të tërheqë vëmendjen ndaj produktit, duke e veçuar atë nga konkurrentët.
Mesazhi që po përpiqeni të përcillni nëpërmjet paketimit tuaj duhet të jetë i shkurtër por me ndikim të madh. Me fjalë të tjera, përpiquni të jeni të thjeshtë dhe lehtësisht të memorizueshëm për të lehtësuar eksperiencën dhe zgjedhjen e klientëve tuaj potencial.